Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Hristina Oxhaklieska, dje hapi trajnimin online për komunat, i cili kishte për qëllim informimin e komunave dhe ndihmën për përgatitjen e aplikacionit për shfrytëzimin e mjeteve nga Programi për investime në mjedisin jetësor për vitin 2022, i cili duhet të jetë në dispozicion së shpejti.
Në fjalën e saj hyrëse, zv.ministrja shprehu kënaqësinë që komunat shfaqin interes të shtuar për të ndjekur trajnimet në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të cilat këtë vit organizohen nga Ministria.
Në trajnim morën pjesë përfaqësues të 80 njësive të vetëqeverisjes lokale në vendin tonë, dhe u diskutua për disponueshmërinë dhe mënyrën e aplikimit për Programin e Investimeve në mjedisin jetësor, në përputhje me nenin 172 (4) të Ligjit për Mjedisin, përmes të cilit komunat kanë mundësi të marrin ndihmë financiare për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe për realizimin e projekteve infrastrukturore me rezultat përfundimtar – përmirësimin e mjedisit jetësor.
Ministria përgatiti dy prezantime, njëra prej të cilave i referohej dispozitave ligjore në lidhje me Programin, dhe e dyta prezantoi objektivat e Programit, të drejtën dhe mënyrën e aplikimit dhe plotësimin e duhur të dokumentit, si dhe informacione të tjera shtesë lidhur me këtë çështje.