Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesin e përhershëm të sapoemëruar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara Armen Gregorian.
Pasi ministri Nuredini i uroi mirëseardhje dhe e uroi për emërimin e tij, u bisedua për punën deri më tani, si dhe për aktivitetet e përbashkëta në të ardhmen. Z. Gregorian prezantoi objektivat e UNDP-së në periudhën e ardhshme, kryesisht në fushën e mbrojtjes së ujërave.
Në këtë drejtim u diskutua edhe për projektin rajonal për pellgun e Drimit të Zi me theks të veçantë në aktivitetet për restaurimin e shtratit të vjetër të lumit Sateska. Në këtë drejtim u shkëmbyen informacione për gjendjen e projektit për të cilin do të përfundojë dokumentacioni teknik me planin urbanistik për projektin e infrastrukturës deri në fund të vitit, si dhe dhënia e lejes së ndërtimit dhe fillimi i punës në terren gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
U diskutua edhe për nivelin e realizimit të projektit “Përmirësimi i rezistencës ndaj vërshimeve në rajonin e Pollogut”, me referencë të veçantë për realizimin e aktiviteteve në shtratin e lumit të Bogovinës.
Për këtë projekt, ministri Nuredini shprehu shqetësimin e madh lidhur me realizimin e punimeve, dhe konkluzioni i përbashkët ishte se është e nevojshme të monitorohen nga afër aktivitetet në terren për të kontrolluar cilësinë e punimeve ndërtimore, si dhe përfshirjen e mëtejshme maksimale të përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe planifikimit hapësinor në procedurat për vlerësimin e procedurës së tenderit.