Ministri Naser Nuredini në kuadër të Kongresit të Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës në Marsejë (IUCN), sot mori pjesë si panelist në një sesion kushtuar zgjidhjeve të bazuara në natyrë për ndryshimet klimatike, së bashku me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Fizik dhe Infrastrukturës së Kosovës Liburn Aliu, Zëvendësministren e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri Ornela Çuçi, Naig Kozanet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe Boris Erg, Drejtor Rajonal i Zyrës së Programit të Unionit Botëror për Mbrojtjen e Natyrës.
Në fjalimin e tij, ai paraqiti përparimin kombëtar në ruajtjen e natyrës, me shpalljen e zonave të reja të mbrojtura, veçanërisht Malet e Osogovës dhe Parkun Kombëtar Mali Sharr, me të cilat pjesa e zonave të mbrojtura u rrit nga 8.9% në 13.3% në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, duke gjetur një mënyrë të përshtatshme të menaxhimit të tyre për të siguruar ndërveprim të balancuar njerëzor me natyrën dhe ofrimin e shërbimeve të përshtatshme ekosistemike.
“Çështjet e ruajtjes së biodiversitetit, zbutjes dhe përshtatjes së ndryshimeve klimatike janë të ndërthurura dhe prioriteti ynë, si një vend i prekshëm nga ndryshimet klimatike, të cilat i dëshmuam gjatë zjarreve në pyje këtë verë. Prioriteti ynë është restaurimi i ekosistemeve dhe sigurimi i zhvillimit të njëkohshëm të gjelbër të popullatës lokale,” tha Nuredini.
Përfaqësuesit e tre vendeve fqinje shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e natyrës, me një fokus të veçantë në ndryshimet klimatike, veçanërisht në rajonin e Ohrit dhe Malet e Sharrit.