Fillojnë projektet për rindërtimin e rrjetit ekzistues të furnizimit me ujë në komunën e Çairit

Poseta_na_cairMe një vizitë në komunën e Çairit, si dhe një turne në terren të lokacionit, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, shënuan fillimin e projektit për rindërtimin e rrjetit ekzistues të furnizimit me ujë për një pjesë të komunës dhe njoftuan aktivitetet e planifikuara në periudhën e ardhshme.

Me këtë rast, ministri Nuredini tha:“Sigurimi i ujit të pijshëm të pastër dhe të sigurt për çdo familje konsiderohet si një domosdoshmëri e jetesës moderne. Sot së bashku me kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, shënuam fillimin e një projekti tjetër të rëndësishëm në këtë sferë.

Ka filluar rindërtimi i rrjetit ekzistues të furnizimit me ujë për rrugët Kovaçka, Rufat Burxheviç, Mesta, Sollunska, rruga 138 dhe një pjesë e rrugës Saum Cesma 1 dhe 2 në komunën e Çairit, për të cilën Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2020 siguroi fonde në vlerë prej 20 milion denarë.

Me qëllim të sigurimit të ujit të pijshëm të pastër dhe të sigurt për banorët e këtij vendbanimi në Shkup, në vitin 2021 nga Buxheti i MMJPH-së janë planifikuar fonde shtesë në vlerë prej 5 milion denarë të destinuara për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve atmosferike dhe fekale për pjesën “Krahu i Strumicës 4, 5 dhe 6”.

Angazhimi ynë në këtë komunë nuk mbaron këtu por edhe në periudhën e ardhëshme do të vazhdojmë me implementimin e projekteve për furnizimin me ujë dhe mënjanimin e ujërave të zeza. Tashmë është përgatitur një listë indikative e projekteve të mundëshme për të cilat kanë filluar negociatat me Bankën Evropiane të Investimeve për sigurimin e kredisë në vlerë prej 50 milionë euro”.