Për të ndihmuar autoritetet relevante shtetërore në përmirësimin e lidhjes së zonave të mbrojtura, politikës kombëtare dhe kapaciteteve për menaxhimin e korridoreve ekologjike të kafshëve të egra në vend, në ngjarjen online u shënua fillimi i zbatimit të aktivitetit të projektit “Dy korridore pilot nga të propozuarat në Rrjetin kombëtar ekologjik (MAK – NEN), të zgjedhur për përparimin dhe testimin e masave specifike, të cilat përfshijnë palët e interesuara lokale, për menaxhimin dhe restaurimin e pyjeve me vlera të larta natyrore dhe habitateve të tjera“.
Në hapjen e ngjarjes, të pranishmëve iu drejtua drejtori i Drejtorisë së Mjedisit Jetësor Hysen Xhemaili, i cili theksoi se një nga shtyllat më të rëndësishme për krijimin e infrastrukturës së gjelbër dhe korridoret ekologjike është Marrëveshja e Gjelbër evropiane, të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE duhet ta zbatojë së bashku me Strategjinë Evropiane të biodiversitetit 2030 dhe rrjetin ekologjik Natura 2000.
Aktivitetet njerëzore si urbanizimi, pylltaria intensive, bujqësia, prodhimi i energjisë nga burimet ujore, transporti, turizmi, lidhshmëria infrastrukturore dhe të ngjashme ushtrojnë presion të madh mbi natyrën dhe shkaktojnë fragmentim të habitateve natyrore, gjë që paraqet një kërcënim të madh për biodiversitetin.
Krijimi i rrjeteve ekologjike dhe korridoreve ekologjike, si një model dhe instrument i ri për ruajtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit, konsiderohet si një nga masat më efektive për mbrojtjen e tyre, njëherësh mundëson shfrytëzimin e qëndrueshëm të natyrës dhe zhvillimin e vendit.
Aktiviteti realizohet në kuadër të projektit GEF / UNEP: “Arritja e mbrojtjes së biodiversitetit përmes krijimit dhe menaxhimit efikas të zonave të mbrojtura dhe integrimit të biodiversitetit në planifikimin e shfrytëzimit të tokës” (STAR 5), Komponenti 2 – Rritja e efikasitetit të menaxhimit të biodiversitetit, zbatohet nga kompania këshilluese Dekons EMA – Shkup, kurse shfrytëzuesi përfundimtar i rezultateve është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.