Në dy lokacione në Shkup sot, janë instaluar pajisje që do të mbledhin mostra për cilësinë e ajrit 24 orë në ditë, pandërprerë për 12 muajt e ardhshëm. Duke analizuar këto të dhëna, burimet e ndotjes së ajrit në qytet do të zbulohen më saktë.
Mostrat e mbledhura nga pajisjet e vendosura në Karposh – zonë urbane dhe Lisiçe – zonë me industri, trafik dhe zonë rezidenciale, të cilat do të marrin mostra të agreguara 24 orëshe të fraksioneve të vogla të grimcave PM 2.5 do të analizohen duke përdorur metodat e referencës dhe protokollet e rrepta analitike dhe duke u bazuar në këtë do të krijohen modele që mundësojnë lidhjen e masës së matur të materieve ndotëse në një vend të caktuar, me grupe të burimeve të ndotjes.
Si pjesë e projektit “Menaxhimi i ndotjes në Shkup”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në partneritet me Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, fillon kërkimi në terren në kuadër të Studimit të proporcionimit të ndotësve.
Studimi duhet të sigurojë informacione mbi burimet e caktuara të ndotjes së ajrit në aglomeracionin e Shkupit, si dhe kontributin e burimeve të caktuara, industrisë, djegies së biomasës, trafikut, menaxhimit të mbeturinave, etj. në ndotjen e përgjithshme të vendeve të zgjedhura përfaqësuese, të cilat duhet të jenë bazë për krijimin e politikave efikase dhe reale të kontrollit të ndotjes.
Të gjitha aktivitetet e planifikuara do të kryhen tërësisht në përputhje me “Manualin e referencës për proporcionimin e burimeve të ndotjes dhe krijimin e modeleve receptorë”, botuar nga Qendra e përbashkët e kërkimit e Komisionit Evropian, ndërsa rezultatet përfundimtare do të shpallen në fund të vitit 2021.
Si pjesë e projektit “Menaxhimi i ndotjes në Shkup”, vlerësimi dhe përzgjedhja e rreth 100 familjeve në Lisiçe është në fazën e fundit që do të mbështetenme grante deri në 10,000 dollarë amerikanë për familje për të përmirësuar efikasitetin e energjisë nëpër shtëpi. Kjo parasheh zëvendësimin e mënyrës së ngrohjes, zëvendësimin e dritareve, dyerve, fasadave dhe kulmeve dhe masa të tjera në mënyrë që të rritet niveli i efikasitetit të energjisë dhe të zvogëlohet ndotja në këtë pjesë të Shkupit.