Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, realizoi vizitë pune në Komisionin Evropian në Bruksel, ku u takua me komisionerin e BE-së për mjedis jetësor, peshkimin dhe oqeanet, Virginius Sinkevicius. Në takim u diskutua për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në transpozimin dhe zbatimin e legjislacionit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe hapat e ardhëshme të BE-së në këtë fushë. Komisioneri përshëndeti përpjekjet e vendit për të përafruar politikat me legjislacionin evropian për mjedis jetësor dhe e shprehu gatishmërinë e tij për mbështetje të mëtejshme gjatë këtij procesi.
Gjatë vizitës, Nuredini zhvilloi takim edhe me Clara de la Torre, zëvendës drejtoreshë e drejtorisë së përgjithshme për aksion klimatik, e cila ndau përvojat dhe planet e BE-së në lidhje me veprimin klimatik dhe u informua për aktivitetet që Ministria ndërmerr në drejtim të arritjes së qëllimeve përkatëse, veçanërisht në lidhje me përgatitjen e strategjisë afatgjate dhe ligjit për veprim klimatik.
Përveç kësaj, ministri Nuredini u takua me Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë për Ballkanin perëndimor në drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, dhe u diskutua në lidhje me qasjen e re të BE-së për politikën e zgjerimit në raport me vendin tonë, si dhe mënyrat e realizimit dhe programimit të mbështetjes dhe financimit të tyre.