(06.08.2019) Më 6 gusht 2019, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, u takua me ambasadorin e Republikës së Sllovakisë E.T Henrik Markush.
Ambasadori shprehu mbështetjen e fortë që Republika e Sllovakisë ofron për integrimin euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përkatësisht, Sllovakia është ndër vendet e para anëtare të BE-së që ratifikoi Protokollin e pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë dhe e depozitoi atë në selinë e NATO-s.
Në takim u diskutua për konkluzionet e Protokollit të nënshkruar nga sesioni i dytë i Komisionit të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik, ku të dy palët shprehën gatishmërinë e tyre për të zyrtarizuar bashkëpunimin dypalësh mjedisor, duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në të ardhmen e afërt. Pala sllovake gjithashtu ka ofruar ndihmën e saj teknike dhe ekspertizën për Kapitullin 27 “Mjedisi jetësor” duke bartur përvoja, veçanërisht në parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes industriale, ndryshimin e klimës, menaxhimin e mbeturinave dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
Ministri Nuredini shprehu respekt dhe mirënjohje për mbështetjen e dhënë dhe shfaqi bindjen se përmes punës së palodhshme dhe bashkëpunuese, me qasjen dhe përkrahjen e duhur, mund të jemi shembull i shkëlqyeshëm për rajonin.