(20.11.2018) Sot, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, Ana Petrovska, mbajti fjalim në panel diskutimin për përfshirjen e mbledhësve joformalë të mbeturinave në një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave në Republikën e Maqedonisë, të organizuar nga Shoqata “Go Green – Shkup”.
Duke theksuar se asnjë sistem i ardhshëm i menaxhimit të mbetjeve nuk duhet të injorojë trajtuesit joformalë të mbetjeve, të cilët për vite me radhë kanë vepruar dhe kontribuojnë në reduktimin e sasisë së mbeturinave për asgjësim, në fjalën e saj sekretarja e shtetit Petrovska shtoi:
– MMJPH është e angazhuar për të zbatuar paketën e ekonomisë rrethore të cilën e solli Bashkimi Evropian, dhe në këtë drejtim jemi në fazën e fundit të hartimit të Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili përcakton këto parime, si dhe Planin për parandalimin e mbetjeve në Republikën e Maqedonisë. Po punojmë gjithashtu edhe për të krijuar menaxhimin rajonal të mbeturinave të ngurta në dy rajone të planifikimit në Maqedoninë Lindore. Për këtë qëllim, do të përdorim fonde të BE për ndërtimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, por ne gjithashtu do të vendosim një sistem për përzgjedhjen primare të mbetjeve për familjet dhe personat juridikë.
Sipas Petrovskës, këto sisteme duhet të përmirësojnë kushtet për grumbullimin dhe hedhjen e duhur të mbeturinave, por në të njëjtën kohë ata duhet të kujdesen që mbledhësit joformalë të gjejnë vendin e tyre gjatë gjithë procesit.
– Është koha për të hapur këtë çështje dhe së bashku të gjejmë një mënyrë se si këta mbledhës joformalë të njihen nga shoqëria, të marrin trajnime të përshtatshme dhe kushte pune, të angazhohen plotësisht në sistem dhe tu mundësohet që veprimtarinë të cilën e kanë kryer deri më tani të mund ta kryejnë në një nivel më të lartë, formal – tha Petrovska.
Kryetari i shoqatës “Go Green” – Shkup, Antonio Jovanovski, theksoi se ekziston një ekonomi e madhe joformale në sektorin e mbeturinave, ku mbledhësit e mbeturinave përfaqësojnë një pjesë shumë të rëndësishme. Me profesionin “Koleksionist i mbeturinave” do t’iu jepet një formë ligjore në aktivitetin e tyre, gjë që do t’u mundësojë atyre të përfshihen në sistem dhe të punësohen.
Veprimtaria u ndoq nga ekspertë nga MMJPH, përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale, disa organizata joqeveritare dhe përpunues joformalë të mbeturinave.
Panel diskutimi është organizuar në kuadër të shënimit të Javës së Reduktimit të Mbeturinave.