(27.06.2018) Në kuadër të qëndrimit në DaNang të Vietnamit, me rastin e Asamblesë së 6-të të Fondit Global Ekologjik (FGE), Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki, zhvilloi disa takime dypalëshe.
Gjatë takimit me ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës Mirko Saroviq, shkëmbyen përvojat mbi zbatimin e projekteve të financuara nga FGE, si dhe planet dhe mundësitë e ardhshme për zhvillimin e projekteve rajonale. Ishte pikëpamje e përbashkët që nevojitet realizimi më i madh i aktiviteteve konkrete në terren për të përmbushur angazhimet për arritjen e rezultateve më të larta në mbrojtjen e mjedisit.
Gjithashtu, u zhvilluan takime me përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit Jetësor të Vietnamit, përfaqësues të UNEP-it, Ersin Esen dhe përfaqësues të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO), Xhefri Grifin dhe Tomas Hamond dhe të tjerë.
Ministri Duraki, mori pjesë gjithashtu në një drekë pune me ministrat e Mjedisit Jetësor të Austrisë, Suedisë, Armenisë dhe Luksemburgut, ku u shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje mbi çështjet globale të mjedisit dhe planet për aktivitetet e ardhshme që do të ndërmerren brenda GEF-it 7 .