(27.04.2017) Sot me një ceremoni solemne u mbyll Twining projekti i financuar nga BE: : “Përforcimi i kapaciteteve administrative në nivel qendror dhe lokal për transponimin dhe implementimin e Direktivës së re për emetimet industriale 2010/75/BE “.
Kjo Direktivë për parandalim të integruar dhe kontroll të ndotjes përcakton rregulla për parandalimin, gjegjësisht zvogëlimin e emetimeve në ajër, ujë dhe tokë si dhe parandalimin e krijimit të mbeturinave. Qëllimi është të arrihet një nivel i lartë i mbrojtjes së mjedisit jetësor përmes procedures efektive të dhënies së lejeve industriale, e cila do të pasohet nga një sistem i monitorimit dhe inspektimit. Gjithashtu, Direktiva siguron mekanizma të fleksibilitetit, të cilët në raste të caktuara mund të aplikohen në instalimet industriale.
Me mbi 150 “А-instalime” të mëdha industriale dhe më shumë se 500 “B-instalime” më të vogla, aktivitetet industriale në vend paraqesin një faktor të rëndësishëm, i cili ndikon në mediumet e mjedisit jetësor siç janë ajri dhe uji, por edhe në shëndetin njerëzor. Për t’u siguruar përforcim i mëtutjeshëm i dhënies së lejeve, Bashkimi Evropian përmes Instrumentit për ndihmë paraqasëse e financoi këtë Twining projekt që zgjati 19 muaj (tetor 2015 – prill 2017) dhe kishte buxhet prej 900.000 еuro.
Shfrytëzuesi kryesor i projektit është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor . Në aktivitetet e projektit ishin përfshirë edhe BNJVL së bashku me disa komuna , Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor si dhe institucione e ministri tjera, Oda ekonomike dhe përfaqësues të industrisë, Organizata joqeveritare, Agjenci konsultative etj. Partnerët kryesorë nga vendi anëtar i BE-së ishin Agjencia austriake e mjedisit jetësor dhe Ministria rajonale e Galicisë (Spanjë).
– Në kuadër të projektit u bë vlerësimi i ndikimit ekonomik ndaj sektorit industrial gjatë zbatimit të Direktivës. U hartua një Ligj i ri për kontrollin e emetimeve industriale, si dhe akte nënligjore që rrjedhin prej tij, me ç’rast u mbajtën një sërë takimesh me përfaqësues të industrisë, organizatat joqeveritare dhe me të gjitha palët tjera të interesuara lidhur me ligjin e ri të propozuar. Më tej, adminitrata qendrore dhe lokale i përforcoi kapacitetet e saj për zbatim të drejtë të dispozitave ligjore përmes hartimit të manualeve dhe udhëzuesve për zbatim praktik të Direktivës, përmes mbajtjes së trajnimeve, punëtorive dhe seminareve si dhe përmes hartimit të Lejeve të integruara ekologjike A dhe B. Gjithashtu, në kuadër të projektit ishte përgatitur një listë prioritare për administratën me pajisje të nevojshme për zbatimin e e Direktivës së re për emetimet industriale- theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Bashkim Ameti në fjalën përshëndetëse.
Fjalime mbajtën edhe zëvendëskryeministri i çështjeve evropiane Arbër Ademi, udhëheqësi i Departamentit të infrastrukturës, bujqësisë dhe politikave sociale në Delegacionin e Bashkimit Evropian Mauro Di Veroli, ambasadori i Austrisë Renat Kobler si dhe ambasadori i Spanjës Ramon Abaroa Karanza.